Navigation


 Online publications


 Go back to the forum

ILIRIADA PORTAL   

Kur ne Bulqize kerkohej te luhej tangoja e Muharrem Xhedikut

Iliriada Portal | Published on the mon May 20, 2019 11:08 am | 729 Shikime

Dhurata Kola Kaloshi

Nuk ishte një mbrëmje vallëzimi si e të shtunave të zakonshme, sepse atë mbasdite në sallën e vellëzimit luante orkestra e estradës profesioniste të Elbasanit, e cila gjat turit të saj nëpër rrethe, kishte ndaluar në qytezën e vogël të Bulqizës, për të dhënë shfaqe, e me gjasë edhe për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar për nder te saj. Ndërkohë që mesi i sallës ishte mbushur me çifte që vallëzonin, orkestrës i afrohet një burrë i ri ne moshë. Ai i kërkon drejtuesit të orkestrës  të luante  një nga meloditë e kompozuara nga një emër tashmë pothuajse i zhdukur nga qarqet e muzikës shqiptare. Drejtuesi i orkestrës habitet nga kjo kerkesë jo e zakonshme, e berë aq me tepër në një qytet jo të “zakonshëm”.

Ai pyet, se cili ishte personi që kishte berë këte kërkesë.

 –“Është mbesa e kompozitorit”,- përgjigjet zotëria, qe ishte bashkëshorti i kërkueses.

Drejtuesi i orkestrës i bën me shenjë orkestrës që te nderpriste muzikën. Në sallë ra heshtja. Ciftet që po vallëzonin u kthyen duke vështruar në heshtje, e të habitur nga orkestra, por drejtuesi i orkestrës, me nje ze emocionues i drejtohet sallës:

– Ju lutem cila është mbesa e kompozitorit Muharrem Xhediku.

 Nëna ime ngrihet në këmbë. Atëhere drejtuesi i orkestrës duke berë një perulje para saj, i kërkon orkestrës dhe të gjithë sallës të ngriheshin në këmbe, dhe të duartrokitnin për kompozitorin e madh. ..”

Mu kujtua ky episod treguar nga ime më, dhe im at, ndërkohë që mora të shkruaja këtë shkrim. Një moment ky, që  që nëna ime do ta ruante me fanatizëm ne kujtimet e saj, e që do te na e përcillte njelloj si shumë kujtime të tjera  që lidheshin me punën e jetën e xhaxhait të saj, për të mbajtur gjallë ndër ne, emrin e kujtimin e tij.

 E kështu, unë u rrita me muzikën e Xhedikut, dhe jo ashtu rastësisht .. Nëna ime e ndjera Bedrie Xhediku Kola, që ishte mbesa e kompozitorit të madh, jo vetëm kujtimet për xhaxhain e saj, por edhe këngët e tij, i përcolli tek ne me dashuri e dhimbje. Dukej sikur në heshtje i kish vënë vetes detyrë, që të mos e linte punën kompozitorit të madh të vdirej përjetësisht, sepse ndoshta do të vinte ajo ditë e lumnueme kur muzika e tij, do ti rishpalosej publikut me magjinë e 60-70 viteve me parë.

Falë talentit dhe zërit të saj, ne kemi mësuar dhe ruajmë melodi e këngë të kompozitorit të cilat brezat e rinj, kanë patur rastin pak, ose aspak, ti degjojnë.

Të pathënat për jetën dhe veprën e kompozitorit Xhediku.

Kohët e fundit herë pas here, autoret e një monografie kushtuar jetes se kompozitorit, (Halil Rama, Sakip Cami), kanë publikuar  në median e shkruar e atë elektronike, pjesë të shkëputura nga kjo monografi. Në këtë shkrim gjithsesi,  nuk do të jetë objektiv puna e autorëve të kësaj mografie, por ende të pathënat për jetën dhe veprën e kompozitorit.

Muharrem  Xhediku lindi me 15 Maj 1917 ne fshatin Nezhë (Zalldardhe) të Dibrës, por Xhediku u rrit e jetoi në Tiranë, pasi nëna e tij, e mbetur me katër fëmijët jetim, për shkak të vrasjes se bashkëshortit të saj në luftrat me serbët ,kishte migruar në Tiranë së bashku me shumë e shumë dibranë të tjerë. Asokohe Xhediku ishte vetëm dy vjeç. Ishte ende  i mitur  kur tek ai spikati talenti dhe dëshira për tju përkushtuar muzikës. Instrumenti i parë që ai mësoi që në moshë fare të njomë, ishte çiftelia, të cilën  vëllai më i madh Zeneli (gjyshi im) e ruante si gjënë më të shtrenjtë të trashëguar nga babai qe u mungonte. Ai luante kaq bukur, sa dukej sikur instrumenti  fluturonte në gishtat e tij. Kushdo që e  dëgjonte mahnitej me talentin e tij. Ishte i paarritshëm, por kaq nuk mjaftonte që Xhediku te kapte endërrën e tij. Një ndihmë e madhe do të ishte formimi i tij i përgjithshëm  në shkollën fillore vorfnore në Tiranë. Formimin e parë muzikor e mori në kolegjin e Jezuiteve në Shkodër, në  gjininë e muzikës kishtare. Në kolegjin e jezuitëve ai studjoj pjano dhe kitare.  Vite me vonë, largimi drejt Italisë për të ndjekur ëndërrën e tij muzikore, do të kthehej në një qellim në vetvete, të cilin ai mundi ta përmbushte. Ai e ushqeu ëndërrën e tij ndër vite, dhe të gjitha sakrificat që ai pati në jetë, në një menyrë  ose tjetër, ishin sakrifica në emër të dashurisë për muzikën. Muzika ishte thirrja e tij, së cilës do ti shkonte pas deri në fund të jetës.

Xhediku pati një rrol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës muzikore shqiptare

Xhediku i përket asaj gjenerate të pakët në numër, të cilët u formuan në shkollat perendimore, dhe mbas çlirimit ata patën një rrol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës muzikore shqiptare. Së bashku me koleg të tjerë, ai renditet ndër  pionierët e parë të zhvillimit të muzikës së re shqiptare. Disa prej tyre patën studjuar gjithashtu ne perendim, dhe si të tillë, në muzikën e tyre vihej re, ndikimi i ritmeve të muzikës perendimore të kohës.

Përgjatë më shumë se një dekade ai zhvilloi një punë të pandalshme krijuese, kerkimore, studjuese etj.  Xhediku la pas nje pasuri të paçmuar e cila mund të konsiderohet një thesar për muzikën shqiptare dhe vet historinë e saj.

Në saj të punës së tij krijuese, ansambli i shtetit dhe ai i ushtrisë, pasuroj repertorin me këngë, melodi e valle popullore të kompozuara, orkestruara apo të përpunuara prej tij, duke u bërë fituese e disa çmimeve ndërkombëtare.  Janë të njohura edhe sot këngët “Çasht ma e bukur në kët bot”, “Cuca e Radomirës”, ‘Te kroni”, “Synin ma ke filxhanlli” “Mihane” “Hajde goc se erdh pranvera” etj, etj, por jo këngët  “ Hallet e bilbilit” “Kur dielli bie” “Stakanavistja” “Shkëlqen Tirana” “ Këngë per fshatin tim” “Nënë as më thua”etj.

Estrada e Tiranës e sapoformuar do të kishte si “furnitor” kryesor të repertorit të saj muzikor pikërisht,Muharrem Xhedikun, i cili do të ishte  drejtuesi i parë i shtëpisë së kulturës Tirane, që në atë kohë përmblidhte, Estradën e Tiranës, Ansamblin e Shtetit etj. Nderkohë  Xhedikut në vitin 1950, do ti binte barra e formimit, organizimit e drejtimit të Filarmonisë Shqiptare. Shumë talente të reja  si Mustafa  Krantja  etj ndodheshin  ndërkoh për studime në Çeki, Bashkimin Sovjetik etj. Ai u bë mbështetës i talenteve të reja dhe kurre nuk ngurroj të bashkëpunonte me ta. Kanë mbetur edhe sot kësaj dite të freskëta në memorjen e gjeneratës së atyre viteve këngët; “Vashes sime” Te qiparisi” “Lisi plak” “Unë për ty më s’do të shkruaj” “Falmi sytë e shkruar” “Nën dritare”  “E dua jeten”  “ Sytë e tu” “Ditë e majit” “Mikes së dashur” etj etj.

Krijimtaria e Muharrem Xhedikut meriton të studiohet

Sigurisht puna e Muharrem Xhedikut meriton të studjohet. Jo më kot diku me lart u ndala në krijmtarinë e tij të muzikës  popullore, edhe pse kompozitori njihet si “mbreti i tangos shqiptare”. Kontributi i Xhedikut zë një vend shumë të rëndësishëm edhe në këtë gjini. Ai është po aq kontribues sa edhe kolegët e tij, si Çesk Zadeja, Simon Gjoni, Pjeter Dungu etj. Në të gjithë krijimtarinë e tij, si në këngët popullore, si në ato të lehta, si në përpunimet, orkestralet, rromancat  etj etj, ndjehet dashuria serioziteti dhe përkushtimi i pakufijshëm për muzikën.

Me gjithë kontributin e dhënë, ai ndjehej i paplotësuar per shkak se nuk kishte mundur të realizonte ëndërrën e tij për të kompozuar në gjininë e operas. Kompozimi i disa operetave (Opereta Lugati etj) nuk do të përmbushte plotesisht ëndërrën e tij. Ai shpesh shprehej se "Shume shpejt, edhe ne në Shqipëri do të kemi operat tona. M.Xhediku”, duke shprehur në këtë mënyrë dëshirën për të punuar edhe në këtë gjini.

Xhediku ishte një artist, shpirti i te cilit cytej për të krijuar edhe nga detaje që një njeri i zakonshëm nuk i kuptonte e nuk arrinte ti ndjente sikur ai. Ai nuk ishte vetëm një dashuror i tangos, sol, rumba, swing, vals etj, i tërhequn në melankoninë e tij,  ai ishte një shpirt i lirë, që i gëzohej me të njëjtin pasjon gjithshkaje të bukur, që kishte jeta,  sepse e donte jeten. 

“E dua jetën” është titulli i një prej këngëve të kompozuara nga ai, pak ose aspak i njohur për publikun. “Unë për ty më s’do të shkruaj” e solli në drite vitet e fundit Ardjan  Trebicka, apo kompozimet si “Te qiparisi” “Falmi syte e shkruar” etj. “Lisi plak” një këngë  shumë e bukur e humbur për publikun shqiptar por e kënduar nga “Skofiaret”. Duhet theksuar se një pjesë e madhe e muzikës se tij i mbijetoi zhdukjes në saj të artistëve shqiptar të Kosovës, Malit të zi e Maqedonisë. Radiot perkatëse, si Radio Prishtina, etj, nuk rreshtën së dhëni muzikën e Xhedikut te interpretuar nga artistë shqiptar të të gjitha trojeve, si Muharrem Mici, Grupi “Skoftiaret” etj.

Artistët e mëdhenj këngëtar gjithmonë janë në kërkim të autorëve shkrues e kompozitor të mëdhenj. Muzika e Xhedikut mbeti një nga të preferuarat e artistëve këngëtar e instrumentist, te mëdhenj në mbar trojet shqiptare. Ata kanë vlersuar e vazhdojnë të vlersojnë edhe sot punën e kompozitorit të madh.

“Përvec që i kam kënduar këngët e këtij vigani të muzikës së lehtë shqiptare unë edhe kam shkruar për të, dhe kam mbajtur një emision në Radio Gjakovë, në kuadër të emisionit tim të përjavshëm "Gjurmëve të muzikës" të cilin e mbaj për cdo të shtunë qe 13 vjet rrjesht … Uroj që cdo gjë për Muharrem Xhedikun që ka bërë për muzikën të zbardhet. Muharrem Mici.”

 Titujt e mësipërm të këngëve,  janë vetëm një pikë  në oqeanin e madh të krijimtarisë muzikore të Xhedikut, pasi puna e tij përfshin edhe kompozime në shumë zhanre të tjera të  muzikës, qoftë asaj të lehtë, popullore apo klasike, madje edhe për fëmijë. etj.

Vlen për tu përmendur se pjesën me të madhe të teksteve kompozitori i shkruante vete.Pra përveçse kompozitor ai ishte edhe nje tekstshkrues Këngët e tij u kenduan nga këngëtarët yje të skenës shqiptare si; Zihni Berati(Nderi i kombit),Hysen Koçia, Hysen Pelingu, Anita Take, Pavlina Nikaj, Pjetër Gjergji, Rudolf Stambolla, Xhavit Xhepa , Luçie Miloti, Zan Zyberi, Hafsa Zyberi, e më vonë, Liljana Kondakçi, Irma Libohova, Eranda Libohova, Merita Halili,Bujar Qamili, Ardian Trebicka, etj.

Memoria popullore nuk mund të varroset

Dashuria pasjonante për muzikën  e bëri Xhedikun, kompozitorin me të dashur për publikun.. Zakonisht për publikun është këngëtari ai që adhurohet më shumë nga spektatori, dhe krijuesi i këngës padashur lihet paksa në “hije”, por në rastin e Xhedikut ka ndodhur krejt ndryshe. Xhediku ishte po aq i adhuruar nga publiku sa edhe këngëtarët që interpretonin këngët e tij. Ndoshta sekreti qëndronte në melodit e vallëzimit që ai kompozoj si; “Në park”  “Në mbrëmjen e dëfrimit” “Takimi” etj, melodi  të cilat brezat e dekadave të mëvonshme, do ti mendonin si të huaja.Përmes muzikës së tij  ai u bë i dashur për publikun, dhe veçanërisht për rininë e asaj kohe. Brezi i asaj kohe edhe sot e kësaj dite e kujton me rrespekt dhe adhurim emrin dhe punën e tij. Është ky publik që e ka mbajtur të gjallë në kujtesën e tij muzikën dhe emrin e kompozitorit të madh. Personalisht e kam ndjer këtë  (dhe jo vetem une por te gjithe te afermit), në shumë raste, për vite e vite me rradhë deri ne ditët e sotme. Njerëz që mësonin (brezi i vjeter) se unë isha mbesa e kompozitorit, më shfaqnin pa droje simpatinë dhe adhurimin e tyre. Me ka mahnitur gjithmonë dhe më mahnit  edhe sot , dashuria me të cilën ato i kanë lënë një qoshe të paprekur në kujtesën e tyre emrit të kompozitorit, melodive e këngëve të tij.

Perjetime të tilla më kanë bërë të kuptoj se ata që kontribuan në  varrosjen për pesëdhjet vjet të krijimtarisë së Xhedikut, sidoqoftë nuk arritën asnjëherë të kuptojnë se memorja popullore nuk mund të varroset. Njerëz të vegjël e meskin, të cilët me dashje ose padashje kanë përlyer duart në përpjekjet për të varrosur në gjithfarë mënyrash punën dhe emrin e Xhedikut, në fakt kanë kryer një krim të dyfishtë. Bashkë me punën dhe emrin e tij, ata për pesëdhjet  vjet kanë mbajtur të varrosur një pjesë të historisë së muzikës shqiptare, pasiqë Xhediku duke qenë një nga pionierët e muzikës së re shqiptare, padyshim është në vetvete pjesë dhe vlerë  e historisë së  kulturës  së vendit tonë.

Sot puna e tij, ashtu si e dhjetra artistëve të tjerë, përfshihet ne studimet e Dr. Nicholas Tochka, aktualisht  Shef i Muzikologjisë dhe Etnomuzikologjisë, në Konservatorin Muzikor të Melburnit, si dhe në enciklopedi të ndryshme të artit dhe muziëk shqiptare.

Vitet e fundit emri dhe puna e tij here pas here kan dalë ne siperfaqe. Eshte folur për të në programe televizive, e disa këngë të tij janë perfshirë në 100 këngët e shekullit.  Kjo nuk është aspak, por është pak për vlerësimin e vërtetë të përmasave të punës dhe kontributit të Xhedikut, si njeri i artit e i muzikës shqiptare.Nderkoh instancat shtetërore të kulturës e më gjërë, ende nuk i kan dhënë vendin që meriton, puna dhe vepra e Muharrem Xhedikut ,në pjedestalin e kulturës shqiptare.  Është e nevojshme që puna e Xhedikut të dale ne drite e të vlerësohet përmes studimesh serioze duke i dhënë vendin qe i takon.

Asgjë nuk mund ta justifikoje më sot harresën.


About the author