Navigation


 Online publications


 Go back to the forum

ILIRIADA PORTAL   

Kemi harruar të mbrojmë të vërtetën

Iliriada Portal | Published on the sun Jun 02, 2019 9:37 pm | 314 Shikime

E dashur,
,
Kërkoj ndjesë që e refuzova intervistën me mikeshën tënde. Ja po ta zbuloj një sekret, që nuk duhet ta dinë të tjerët: ka kohë që ndihem keq kur publikisht duhet të flas për tema politike.

E, ndërkohë, sot, kur thuajse askënd nuk e intereson kultura dhe arti, më ka marrë malli të dëgjoj ndonjë debat letrar. Refuzimi im ndaj temave politike ndoshta ka të bëjë me të vërtetën se ka vite që i përsëris të njëjtat qëndrime, me çka vetvetja më është bërë i bezdisshëm.

Apo shkaku se më duket që fjalët e kanë humbur kuptimin, se të gjitha janë thënë, por pa e treguar të vërtetën se jemi në duart e burrështetasve të parealizuar në profesionet e tyre, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, të cilët, si të tillë, popullin e vet e dëmtuan thuajse më shumë se cilido armik i huaj.

Pra, më janë bërë të bezdisshme temat politike, sepse u mbytëm në detin e llafazanisë së kotë, por pa pasur guxim ta themi se politika, arti, kultura, ekonomia shqiptare janë marr peng nga individë, që mbi të gjitha e kanë frikë të vërtetën për vetveten, Duke qenë se shoqëritë shqiptare janë marrë peng nga individë që politikën e konsiderojnë si biznesin më fitimprurës, ku nuk duhet të investosh asgjë përpos paturpësisë dhe papërgjegjësisë, por që të mundëson t’i përvetësosh të gjitha që i takojnë popullit, ne edhe ndërtuam ‘Shqipëri’ ku kryesisht mbisundojnë vlera të rrejshme, heronj e patriotë të rrejshëm…, ku të gjithë i frikohen së vërtetës për vetveten dhe andaj, nguten t’i shkruajnë biografitë e tyre të rrejshme, pa e ditur se e rrejshmja ka afat përdorimi vetëm për aq kohë sa atë mund ta mbrojë gënjeshtari i pushtetshëm, apo i pasur dhe se, e nesërmja është peshore që do e peshojë saktë të sotmen, se e ardhmja do e matë saktë edhe paaftësinë tonë që t’i luftojmë standardet e sotme të rrejshme vlerësuese.

Sidoqoftë, unë e ndiej dështimin tim personal dhe e shoh qartë se në ‘Shqipëritë’ tona, i papërgjegjshmi e sundon të ndershim dhe të ndërgjegjshmin, se jetojmë në vende ku burrështetasit e korruptuar e mbrojnë shtetin nga gabimet e të ndershmëve dhe të hallexhinjve, se ndërtojmë demokraci me ‘stabilokratë’ muskulozë e kriminelë, se jemi shoqëri ku amnistohen politikanët hajdutë e keqbërës, por nuk falen mëkatarët varfanjakë e të papushtetshëm.

Njësoj siç e shoh qartë se ne ia dolëm që publikisht t’i mbrojmë partitë tona dhe pushtetarët tanë, por duke harruar si mbrohet atdheu, dhe duke qenë mbrojtës të ‘hajdutëve’ tanë partiakë, nga ata të partisë kundërshtare, neve na mbërtheu verbëria që nuk na lë të shohim rininë e pashpresë që i braktisë tokat e të parëve, duke i lënë ato si kopshte pa rojtarë e pa pronarë, duke i lënë ato në duart e pushtetarëve, të cilët, sikur të gjenin blerës, do na shisnin edhe neve e jo më tokat dhe ujërat e shqiptarisë.

Po, pra, paraqitjet publike për tema politike më janë bërë të neveritshme. Ku ta dish, ndoshta pse nuk ia dolëm të shpjegojmë se jetojmë në kohë kur bashkëveprojnë interesa nga më të ndryshmet, nga ato ekonomike e politike, deri tek ato fetare, kur paraja është ngritur në ‘fe’ dhe besim të vetëm, në kohë kur çdo gjë shtrenjtohet, por bie çmimi i jetës së njeriut, kur na mësojnë të jemi të pandjeshëm ndaj fatkeqësisë që ndodh larg ‘mëhallës’ sonë.

Pra, pse nuk ia dolëm ta shpalosim se jetojmë në kohë kur nga dita në ditë, shtohet numri i atyre, të cilët veprimin e vet destruktiv, si dhe dhunën ndaj të tjerëve, e mbulojnë duke thënë se janë vënë në shërbim o të Zotit e popullit që përfaqësojnë, o të shpërndarjes së vlerave ‘demokratike e civilizuese’, të shpallura si ‘shenjtëri’ të pakontestueshme, nëpërmjet të cilave ‘shenjtëri’ na heshtin, na frikësojnë deri në ato përmasa sa të mos shohim se e keqja e kësaj kohe nuk ka vetëm një, por më shumë emra, si dhe të mos kemi guxim ta shtrojmë as pyetjen më të njerëzishme e më të logjikshme, si për shembull atë se cili Zot ka kërkuar nga njerëzit të asgjësojnë pjesëtarët që nuk i takojnë etnisë apo fesë së tyre dhe cili popull ka kërkuar nga përfaqësuesit e vet që ata t’i rrënojnë të gjitha vlerat njerëzore e morale, pa të cilat nuk vlen gjë lloji, të cilit i takojmë.

Po pra, ne nuk ia dolëm të shpjegojmë siç duhet se jetojmë në kohë kur nuk dihet kush e mbjellë, por shihet qartë kush e korr fatkeqësinë, në kohë kur është shlyer kufiri që ndan terrorin shtetëror nga ai individual, në kohë kur shumëçka nuk dihet, por një gjë është e qartë: gabon ai që të keqes së sotme i vë vetëm një emër dhe atë e kërkon vetëm në një adresë.
Megjithatë, populli im nuk më dhimbset gjithaq pse atë e varfëruan dhe e plaçkitën politikanët hajdutë e të pafytyrë, por pse aq shumë atë e ‘demokratizuan’ sa ia vranë ndjenjën për interesin kombëtarë dhe për patriotizëm, duke ia sforcuar vetëm pasionin e pafrenuar për mirëqenien personale.

Pra, mua më dhimbset shqiptaria, pse u shtua numri i atyre që janë të ndjeshëm ndaj fatit të vet personal, por të pandjeshëm ndaj atij kolektiv. Siç më dhimbset edhe rinia shqiptare, të cilën aq e ‘modernizuan dhe e europianizuam”, sa e bindën se nuk vlen gjë ‘gjykata publike’, se vetëm të ‘prapambeturit’ ia varin veshin asaj që thotë ‘bota’ për ta, rini së cilës, ne prindërit, nuk ia dëshmuam të vërtetën se ka edhe më keq se të jetosh në kohë përplot me paragjykime: të çosh jetë në kohë si të sotmet dhe në shoqëri si këto tonat, ku thuajse është bërë e turpshme të turpërohesh.

Po pra, kohëve të fundit ndihem keq kur më ftojnë të shprehem publikisht për çështje politike. Ndoshta pse duke politizuar e partizuar çdo gjë shqiptare, ne harruam ta mbrojmë të vërtetën se ai që humb ndjesinë ndaj interesit kolektiv e kombëtar, mbetet i ‘dështuar’, edhe atëherë kur i realizon ambiciet personale.

Siç nuk ia dolëm të dëshmojmë se ‘vrasja’ e lojalitet ndaj kombëtares, na solli deri këtu ku jemi sot: të ketë më shumë shqiptarë të davaritur nëpër botë, sesa në ‘Shqipëritë’ tona. Me çka s’ke si mos pajtohesh me thënien se ka katër gjëra që mund t’i gjesh kudo në botë: tokën, ujin, ajrin dhe shqiptarët.

Kim Mehmeti
*Letra i drejtohet kritikes së librit, Alda Bardhyli

About the author