Navigation


 Online publications


 Go back to the forum

ILIRIADA PORTAL   

“Poezia, si gjithprani e këndshme”

Iliriada Portal | Published on the wed Nov 15, 2023 10:35 am | 44 Shikime

Dr. Hajri Mandri

Pedagog në Albanian University, Tiranë

Fillimet e veta poetike, autorja e këtij libri poetik, Dhurata Kola (Kaloshi), i ka që nga fundi i viteve ’80, kur në gjimnazin e Bulqizës, aktivizohej në rrethin letrar dhe botonte në shtypin e kohës. Tani pas 3 dekadash kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën dhe kulturën e saj letrare. E diplomuar në Universitetin e Tiranës, fakulteti i Drejtësisë, prej dy dekadash jeton në Bruksel dhe punon me dinjitet. Natyrisht, ajo nuk është ngutur të botojë këtë vëllim poetik, por ka vëzhguar me ndjesi të hollë realitete prekëse nga jeta, të cilat, si vatra estetike krijojnë shanse për afirmimin e autores si një profil i veçantë krijues, duke na dhënë një libër me vlera artistike dhe mesazhe të vlefshme bashkëkohore. Fuqia estetike interpretuese e detajeve jetësore që vijnë si prodhim i stimujve mjedisorë kontekstualë, ku ka jetuar dhe përjetuar autorja, japin pasazhe dhe imazhe befasuese që janë në tagrin e poetëve të shquar dhe me përvojë të gjatë. Përparimi i intelektit dëshmohet nga vizioni i qartë mbi shkaqet. Jeta groteske me uljengritje, me ekstreme gëzimesh dhe dëshpërimesh, përbëjnë veçorinë dalluese të lëndës poetike, brenda një përvoje individuale, por që ka aftësi përgjithësuese për t’u bërë e dashur dhe konfidente me lexuesin, në mënyrë të veçantë me emigrantët që kanë provuar zigzaket e jetës, që janë lakuar në spiralet e saj dhe i kanë kundërqëndruar me dinjitet. Dëshiroj të bëj një kroskurrikulë të ilustruar me vargje për të kuptuar më lehtë madhështinë, bukurinë, koncizitetin dhe modestinë e vargjeve të poetes Dhurata Kola Kaloshi.

Karakteristikën etnokulturore të yshtjes serioze të marrëdhënies midis bashkëshortëve, e gjejmë të dhëna me finesë në çastin kur autorja përcjell bashkëshortin në emigracion, duke ditur në atë kohë, që kthimi ishte i papërcaktuar në kohëzgjatjen e tij. Malli, dashuria, vetëpërmbajtja, besimi te e nesërmja, respekti reciprok që shenjtëron në mënyrë sakrale lidhjen bashkëshortore, jepet me një vizatim elegant, pa bujë e figura të kërkuara, por që flasin shumë:
Kur ti u nise,
Me copëzat e shpresës në valixhe,
ne nuk u ndamë me qafje lamtumire.
Pas pikave të shiut,
E fsheha, të rëndë-trishtimin.

Jeta e vështirë e emigrantit, fillimisht nis me privacione dhe vështirësi të papara dhe të paimagjinueshme. Ndërkohë që autorja, në vendin e origjinës, kishte një përvojë të mjaftueshme intelektuale me fuqi morale, intelektuale dhe konceptuale, e gatshme për t’u integruar në botën e qytetëruar perëndimore. Si njerëz të panjohur në botën e panjohur poetja përshkruan:
Endem kuturu rrugëve të qytetit,
në mërzi,
Ndez një cigare, humbem në mendime,
e vij tek ti.
Duke folur me këmbë e duar,
për ç’kush e di.
Rendim shpenguar, në apartament,
të fshihemi të dy.

Me mjeshtëri të rrallë dhe ndjesi të hollë, poetja përdor paralelizmat si dukuri natyrore dhe në përqasje me dukuritë njerëzore dhe konkretisht, atë që ka të bëjë me kontekstin, me jetën e saj. Pasiguria dhe stresi emigrator ekziston kudo, por imagjinata gjallëronte metabolizmin intelektual të saj. Ja sa bukur dhe në mënyrë koncize shprehet në vargje që krijojnë një vatër estetike ku theksohet mesazhi i kohezionit familjar:

Një gjethe vjeshte u këput e ra,
dhe unë papritur ndjeva frikë,
se mos të të humbas,
se mos më humbet.
Sa shumë kohë i kemi dhënë hamendjes,
sa pak kemi mbajtur për vete.

Fëmijët janë aveniri i jetës, janë e tashmja dhe e ardhmja për poeten dhe lulëzimi i shpresës, si ëndërr plotësuese e lumturisë së njeriut. Misioni i tyre tashmë është shumë i lartë, shumë motivues, shumë fisnikërues, por që kanë në krah përkujdesjen prindërore që sëmunjet e kohës të mos i prekë:

Ata, rendin drejt betejash për të ndryshuar botën,
ne, në betejë për t’i mbrojtur prej saj.

Ja se si autorja me pak fjalë paraqet shnërrimin e saj psikomoral që i kundërqëndron realitetit të ri konteksual shoqëror:
Një rreze dielli,
depërtoi thellë në ashtin tim,
e unë qetësisht, fola me zotat.
Pastaj e lashë shpirtin të endet i lirë,
në kërkim të yshtjeve të reja…

Thjeshtësia dhe harmonia poetike shkrihen si një e tërë te poezia dedikuar mbesës së saj “Për Elizën”

Zëri yt simfoni e jetës,
përqafja jote zemrën peshë ngre,
dritë e syrit i shpërthen agimet,
rreze dielli që largon çdo re.

Dhe lodroj në kopshtin e gazmendit,
Nanuris ma të bukurat melodi,
më rrëmben e qeshura e zemrës,
jetë e jetës, ëndërr, dashuri …

Malli për vendlindjen mbetet muza e pashtershme për çdo mërgimtar, ku e bën të bubullojë në shpirt ndjenja robëruese që sjell malli për vendlindjen, si më e madhja dashuri:

Dua të ulem mbi gjunjët e malit,
atje ku dikur pata shtëpinë.
Me e lan ashtin të digjet
prej zjarrit të perëndimit,
e me u qaf me dritën e yllit,
e hanës, me i nejt karshi …

Ndjeshmëria lirike e shpirtit të poetes preket nga stinët dhe ndërrimi i tyre, aludimi me to, i jetës së saj, i kolorit dhe ekologjisë shpirtërore:

E mugët, kjo ditë vjeshtore,
i bëhet streh trishtimit,
se i vetmi që ke përballë,
për të ndërruar dy fjalë,
është vetvetja.

Në mënyrë elegante autorja krijon metafora dhe konfigurime poetike të rralla, duke i artikuluar njëkohësisht thjeshtë, që tregon diskursin vetjak të unit dhe ligjërimit poetik.
Endem në ngarendje,
përmbi dete fluturoj,
dhe trazuar i lëshohem,
m’u në prehër, mallit tim.

Autorja shpesh jep edhe sentenca morale apo konstatime të verifikuara nga përvoja. Ata marrin karakter përgjithësues për nga transmetimi i mesazhit:
Mbas lotit të gruas,
fshihen të pathëna.
Ajo, botën e sheh,
me sytë e qiellit.
Çdo ditë bën me vete,
paktin e qëndresës.

Kritike ndaj mentalitetit të tejkaluar feudal, autorja sjell në kujtesë:

I mësuan nënat tona të na mësonin,
se të duash veten, është turp,
e të jetosh është mëkat,
se nënshtrimi është virtyt,
e se durimi sjell shpërblimin…

Me nota realiste autoria skicon jetën e vështirë të banorëve të qytetit minator ku ka lindur dhe ka kaluar rininë e saj. Ajo është kritike dhe nuk përpiqet ta glorifikojë dhe ta zbukurojë jetën në mënyrë subjektive:

Buzëqeshja është një relike e rrallë,
që jo gjithkush ka tagrin ta posedojë.
Dëshirat shuhen në terrin e heshtjes,
ëndrrat thahen nga bryma e dimnave.
Rroba e zezë,
që pushtuar ka shtatin e tyne,
shndërruar është në stampën
e zymtësisë së këtij qyteti,
mbas së cilës,
ai nxiton të fshehë,
heroinat e tij…

Në mënyrë koncize përkufizon epokën moniste ku mungonte, më e shtrenjta, liria:

Kemi rendur pas lirisë së tjetrit,
duke i ndërtuar qelinë lirisë sonë,
në vetëburgosjen e madhe…

Objekte poetikë të autores bëhen deti, dallga, mali, emigranti i zhgënjyer që ka frikë të kthehet në atdhe, që të tjerët të mos ia dallonjë ëndrrën e humbur, ndaj ajo mendon se është më komode të:
Qëndroj izoluar në qelinë e mallit,
duke mbetur mbërthyer e robëruar,
skllave e dhimbjes dhe nostalgjisë.

Dhe e gjitha ka të bëjë me ëndrrat e mërgimtarëve të mbetura pezull:

Sikur për çdo andërr,
një qiri të ndizej,
në flakë edhe zjarr,
bota do të digjej.

Dhe do t’i mjaftonin vetëm tre strofa të shkruara në stilin tradicional të poezisë, për të dhënë të plotë gjendjen e brendshme të emigrantit, statusin e tij, se fundja kush më mirë do t’i njihte brengat e tyre, më mirë se poetja Dhurata Kola, e cila i asistonte dhe i ndihmonte praktikisht ata?

Agimet vijnë ndryshe për ty mërgimtar,
e ndryshe janë për ty si dita, si nata,
dhe dielli nuk ngroh njëlloj për ty mërgimtar,
dhe s’janë njëlloj për ty, rrugët e gjata.

Kur lodhur e i djersitur je,
e ndalesh pak frymë me marrë,
askush s’të thotë “ngjatjeta he burrë!”,
askush s’të thotë,“hej, puna e mbarë!”.

I huaj në mes të të huajve, mërgimtar,
gur që nuk zen ven, veç rrokulliset,
shtëpi pa themel e pa hambar,
pemë pa rranjë që nuk harliset.

Me një sens mjaft depërtues dhe humanist, poetja paraqet vështirësitë e jetës në vend të huaj, duke sjellë detaje nga momente të vështira që konstaton me dhimbje te i shoqi, ku me nota të forta ngjeshen qëndresa, dhimbja dhe dashuria. Shpirti i zakonshëm të trajton me atë që bën, ndërsa shpirti fisnik me atë që është. Familja e autores kishte krijuar këtë simbiozë të familjes fisnike me vlera në diasporën shqiptare:

Më trishton loti i ngrimë
në synin e burrit,
kur e shoh të tkurret,
sa një fëmijë të mblidhet…

Dhe mendoj,
Është dhimbja e burrit,
që ja shkrin lotin grues në sy,
e ajo qan, qan aq shumë,
pse dot nuk qan ai.

Jeta ikën tamam atëherë kur ne përgatitemi për të jetuar. Të afërmit dhe miqtë largohen nga bota dhe ne e kemi të vështirë t’i zëvendësojmë me të tjerë më të rinj. Dhe pastaj, ngjarjet rreth e rrotull nesh prodhojnë ëmbëlsinë e jetës, edhe kjo rrethanë duhet kuptuar, për ta shijuar botën që jetojmë:

Unë i lë mendimet e mia,
t’i buzëqeshin një dashurie të re.

Përdorimi i detajit në poezinë e Dhurata Kolës, jo vetëm që është i përzgjedhur me kujdes por është edhe me potencë përgjithësuese. Këtë e hasim në shumë poezi, ku kalohet nga e veçanta te e përgjithshmja, nga konkretja te abstraktja. E ilustrojmë me një shembull:

Vendosa që sot të ulem e të t’pres,
në stolin ku nuk ulet askush.
Njerëzit kanë frikë nga e përveçmja.
Zgjedhin të jenë të padukshëm,
edhe pse bëjnë çdo gjë për pak famë.

Dhe për ta mbyllur, si prelud që të fton për hapësira jete dhe optimizëm mbarënjerëzor, po e ilustroj me një strofë si porosi estetiko-morale:

Lëre dashurinë të ndodhë!
Lëre veten të humbas mes ngjyrash
dhe paqja ta pushtojë!
Lëri yjet të të përkëdhelin
dhe dashurinë të dashurojë!

Librat poetikë përbëjnë historinë e emocioneve të çdo autori, të punëve, të sjelljeve, të qëndresës dhe arritjeve të tij dobiprurëse. Mendimi i çdo njeriu është një parafakt. Ajo që ndodh ka jetuar më parë në mendjen e tij. Mendja e poetëve është enciklopedia e emocioneve. Edhe faktet e vogla në bëmat vetjake, shembëllejnë me bëmat e mëdha të njerëzimit, ashtu si kriza e rëndë e njeriut i referohet krizës kombëtare. Këto mesazhe të mëdha estetike përcjell poezia e Dhurata Kolës, të cilës i urojmë:
krijimtari të begatë!

About the author