Navigation


 Online publications


 Go back to the forum

ILIRIADA PORTAL   

Poezi nga vellimi me titull “VALËVITJE” i autores Dhurata Kola Kaloshi

Iliriada Portal | Published on the tue Nov 28, 2023 10:44 pm | 112 Shikime

HIJET

 

 

Qielli i terrun ja merr dritën agut,

e shndërron atë në gjysmë natë

e gjysmë ditë.

Tani në rrugë vërtiten vetëm silueta,

e sheshet i sundojnë zombit.


Zërat e shpresës shuhen honeve,

ndryshku ia gërryen palcën hekurit,

qirinjtë e ndezun përzhitin akullnajat,

si gjethet e vjeshtës bien të vdekurit.

 

Bien të vdekurit si gjethet e vjeshtës,

nën qiellin e terrun, nën agun gri,

njerëzit si hije kapërcejnë pragjet,

hijet teren në asfaltin e zi.




 

NË KOPSHTET E ZBRAZUNA

 

Në kopshtet e zbrazuna shpresash,

përkundin stinët ditët e trishta,

ëndërrat e fshehuna trazohen mugut,

prej rrezes përthyeme mureve të hirta.

 

Shpendët pelegrinë rrahin qiejt,

duart gozhduar në ajër, ndryhen,

veç krisma rrokullisen majës së Olimpit,

statuja perëndish që rrëzohen e bien.

 

Në ditët e mugëta stinëve të trishta,

në kopshtet e zbrazuna andrrash,

kopshtari i vetmuar, muzgut thyer dita,

mbledh, derdh buketa ofshamash ...


 

TIRANA

 

Rrëzohet mjegulla mbi shpatullat e Dajtit,

dhe retë që prej kushedi nga kanë migruar,

pezull qëndrojnë mbi kurorën e qytetit,

sikur diç janë duke paralajmëruar.

 

I ftohtë vjen mëngjesi e i paqartë,

dhe gjethja shkundet pa ditur ku bie,

diku fshehur kulla me sahat,

numëron orët që shkojnë e vijnë si hije.

 

Anës bulevardit, përhumbur kundron,

një lypës i lodhur, i mplakur e i thinj,

se si bulevardit rrëshqasin zhurmshëm,

autot me xhama të zinj.

 

Rrugëve të pluhurosura zvarrisin këmbët,

të vdekshmit e derdhur nga anë e anës,

si një hordhi e shpartalluar ushtrie,

shpresojnë të gjejnë fatin bregut të Lanës.

 

Në kafenetë që presin e përcjellin,

intelektual, biznesmen, politikan,

tallavaja e muhabetit vërtitet,

nga dyshemeja në tavan.

 

Edhe më duket sot kaq i vogël Dajti,

përhumbur diku nën mjegullën gri,

teksa Tirana çdo ditë e nga pak,


jep shpirt nën këmbët e tij.




DRINI

 

Zareve të gurta duke u lakuar,

vala prej s’thelli lëshon ankimën,

gurgullima e trishtë i drithërohet shtatit,

fundit të udhëtimit.

 

Hingëllimë e kalit të zi,

kapërcyell maleve,

shtigjeve tek arratiset,

nëpër gryka vjen gremiset,

 

Brigjeve të heshtuna,

udhëve tretun mjegullnajave,

copëzohet troku,

shkëmbinjve të shkërmoqun.

 

Mali brinjëthyer, l’shon vikamën,

oxhaqet nuk qesin,

as tym të bardhë, as tym të zi,

Veç përthyhet nëpër natë,

troku i kalit të bardhë,

veç gremiset nëpër terr,

hingëllimë e kalit të zi,

as gjurmë, as pluhun,

veç hije në arrati…




PRITJA

 

Po shkojnë ditët si ujt’ e drinit,

si vala valës nuk i ngjan,

udha, humbur udhës,

koha, humbur kohës,

po dergjen ndër lisat e ramë.

 

Klithmat kafshojnë orët,

hirnosja ia ka përpi kupën qiellit,

i pashpresi rrëzuar mbi rranjët e shkuluna,

pret, të ngrihen nga varri të vdekurit.

 




About the author